Wednesday, December 8, 2010

''CampusCassovius''


Gjurmë historike

 - [ Translate this page ]
152 të atlasit të tij, përmend emrin ''Campus Merlinius Cassovius'', ... 153, e paraqet ''CampusCassovius''. Në një riprodhim të hartës së I. M. Hasiusit, ...
pashtriku.beepworld.de/.../enver_rexha_historia_e_emrit_kosove_24.1.09. htm -Cached - Similar


Zemra Shqiptare


Enver Rexha: Historiografia për emrin Kosovë – Kosova
E Enjte, 22-01-2009, 07:31pm (GMT)

Historiografia për emrin Kosovë – Kosova

Nga Dr. sc. Enver Rexha

Emri është elementi i parë i identitetit të njeriut, kombit, vendit, e po ashtu edhe i shtetit. Pasi që bëhet fjalë për emrin e shtetit tonë “Kosova”, fillimisht dua të them se, nuk di  si të ndihem sot, krenar  i zhgënjyer apo i nevrikosur, e po ashtu, nuk di si ndihen studiuesit tjerë si, historianë, gjeografë, gjuhëtarë etj., kur shkruajmë dhe e përdorim emrin në punime të ndryshme e nuk e kemi ende të qartë kuptimin apo prejardhjen e tij.  
Rreth kësaj që u tha  më lartë, kisha për të shtuar dhe at se, të habit fakti që deri më sot, kemi shumë pak rezultate, studime nga studiuesit shqiptar të Kosovës që janë marrë me këtë çështje.  Kureshtja ime që të merrem me këtë punë nis nga dy arsye. E para, kur disa muaj më parë lexova në gazetën ditore punimin e botuar të historianit Qazim Namani me titull “Fusha e Kosovës – Fusha e Kështjellave”, i cili emrin “Kosova” e nxjerr me prejardhje nga gjuha shqipe. E dyta, kur pak javë para shpalljes së Pavarësisë së vendit, mjetet tona të informimit, si televizioni e gazeta ditore, paraqiten intervista të marra nga studiues e politikan vendor ku shtrohej pyetja: se nga e ka prejardhjen emri, kur emri përmendet për herë të parë në burimet e literaturën historike dhe se, si do të njihet vendi me emrin zyrtar pas njohjes ndërkombëtare: Kosovë-a apo “Kosovo” (varianti që pretendohet për shumë kohë e edhe sot nga historiografia serbe). Për fat të keq, përgjigjet rreth këtyre pyetjeve ishin mjaft konfuze dhe të pa qarta nga të intervistuarit. Këto arsye, më bën që të merrem me hulumtimin dhe studimin e të dhënave - burimeve dhe literaturës historike që kanë të bëjnë me emrin ‘’Kosova’’, me qëllim që të kemi një pasqyrë sa më reale për kuptimin dhe prejardhjen e tij.
Fillimisht duhet të dimë që, emri i sotëm i vendit dhe shtetit tonë “Kosovë-a”, si toponim është emër historik, i cili sot  përfshinë vetëm një pjesë të territorit (pjesën qendrore) të Dardanisë antike e cila gjendej në qendër të Gadishullit Ilirik, sot Ballkanik. Regjioni gjatë historisë së vet, ishte së pari pjesë e Dardanisë Ilire, pastaj në kuadër të Romës, Bizantit (Campus Dardanci), për pak kohë në mesjetë nën Sllavët e më pas nën Perandorinë Osmane, kur ndahet si njësi e veçantë “Vilajet” (1877-1912). Gjatë kohës të Jugosllavisë së vjetër (pasi që vendi ishte okupuar më 1913 dhe riokupuar më 1918 nga Serbia), territori i Kosovës është ndarë në tri zona – “zhupani” si: Zetës, Vardarit dhe Moravës (1921-1931), të cilat më vonë u shndërruan në “banovina” regjionale (1929-1939). Pas luftës së Dytë Botërore, territori bashkohet dhe formohet një njësi e re administrative dhe territoriale nën Jugosllavinë e re që do të quhet, Territori i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë – “Kosmet” (1945- 1968). Nga viti 1968, vendi zgjeron statusin e tij, e do të quhet Krahina Autonome e Kosovës - Kosova, e cila vepron deri në vitin 1999, kur vendi pas luftës (1998-99) pavarësohet dhe sot njihet ndërkombëtarisht me emrin Republika e Kosovës.
Kështu, emri i sotëm i vendit “Kosovë” nga aspekti historikë, merret si pasardhësi i emrit të vjetër të vendit që quhej “Dardani”. Të dhënat e para historiografike për emrin “Kosovë” (në kuptimin e ngushtë të fjalës “Fusha e Kosovës”)  janë relativisht të vona në histori, edhe pse emri në aspektin gjeografik  përmendet që nga shek. XIV. Emri historikë i vendit “Kosovë” njihet nga gjysma e dytë e shek. XIX,  kur krijohet Vilajeti i Kosovës si njësi administrative e territoriale nën Perandorinë Osmane, që përfshinte një territor më të gjerë se që ka sot (afro 30.000 km), duke vazhduar të mbijetoj deri në ditët e sotme  (shumë i zvogëluar, me 10.870 km).
Mendoj që, është shumë me rëndësi të njihemi përgjithësisht me qëndrimet historiografike që janë dhënë deri më tani rreth emrit të vendit tonë “Kosovë-a”. Lidhur me këtë, duhet të themi që, rreth prejardhjes së emrit të vendit ‘’Kosovë/a’’, ka lindë problemi qe një kohë të gjatë  dhe ai, në mes historiografisë serbe dhe historiografisë tonë shqiptare. Historiografia serbe përgjithësisht, kuptimin dhe prejardhjen e emrit mundohet ta nxjerr nga gjuha sllave-serbe. Duhet theksuar se, në këtë drejtim, shumë më tepër është angazhuar dhe ka punuar  historiografia serbe, e cila i përkushton çështjes dhjetëra punime deri sot, duke filluar që nga vitet e para të shek. XX. Rezultatet e dhëna të deritashme nga historiografia serbe, siç do të shohim në këtë punim, do të jenë përgjithësisht të llojllojshme, të sakta e të pa sakta, të deformuara, e për më tepër sipas mendimit tim, qëndrime tendencioze e skajshmërisht të politizuara.
Historiografia serbe, mund të themi pa përjashtime, veçohet në këtë drejtim  me  qëndrimet e saja se, emri “Kosova” ka prejardhje (etimologji) nga gjuha sllave-serbe. Prejardhja e emrit, konsiderohet që rrjedhë nga gjuhët sllave të jugut, ku fjala “kos”, “kosov”, “kosovac” e “kosoviq”, kanë kuptimin e shpendit (zogut) “mëllenjë” (merula), përkatësisht “zogu i mëllenjës” apo “zogu i zi”. Kështu, nocioni kryesor dhe rëndësia e emrit ‘’Kosovë’’, apo kuptimi i thirrjeve të ndryshme (mendohet në emërtimet si, ‘’Serbia e Vjetër’’, ‘’Serbia Jugore’’, ‘’Kosova e Metohija’’etj., E. R.), ka rëndësi dhe kuptim të ndryshëm në disa shoqëri etnike. Te Serbët, emri shënon, përcakton ‘’tokën serbe’’, ‘’hapësirën e Jerusalemit serb’’, e cila ngriti shkëlqimin kulturorë e ekonomikë në mesjetë, që në mënyrë brutale e ndërpreu ardhja e Osmanlijëve. Më tutje thuhet:’’se për serbin mesatar emri ‘Kosova’ është emër qiellor, i cili shënon, cakton tokën e shenjtë [...]’’. Sipas kalkulimeve të politizuara dhe të mitologjizuara të studiuesve serb rreth emrit, theksohet se, heronjtë serb të rënë në Fushë Kosovë (Beteja e Kosovës – 1389) janë kthyer në “mëllenja” dhe vajtojnë në këngën e tyre për disfatë e që nga atëherë na ardhka dhe emri Fushë Kosovë, ku “kos” është fjala serbe për “mëllenjë”. Emri i plotë i Krahinës (bëhet fjalë për periudhën kur Kosova gjendej në ish Republikën Jugosllave, E. R.), e cila është juridikisht në Serbi, është “Kosova e Metohija”. Ka shumë simbolika në këtë emër. “Kosovo” është, në serbisht, toka “Kosova”, “zogjve të zinj”, ndërsa “Metohija” tokë “metohie”, “prona manastiresh”[...]. ” Në kohen e humbjes më 1389, në ‘tokën e manastireve dhe të zogjve të zinj’ jetuan ‘serbët’ dhe një numër ‘simbolik’ i shqiptarëve”.     
Etimologët serb ndër kohë më tepër sikur e largojnë qëndrimin nga emri “kos” për ta nxjerrë kuptimin nga emri “kos-a” - “kositi”, që ka kuptimin e veglës bujqësore për korrjen, prerjen e bimëve, drithërave etj. Sipas historiografisë serbe, emri “Kosova” përmendet për herë të parë para Betejës së Kosovës të vitit 1389 në një diplomë (krisobul) mesjetare, origjinali i të cilës i takon kohës së Stefan Nemanjës. Në këtë shkrim përmendet emri i rrethit i quajtur “Kosova”, i cili duhej të paguante taksa manastirit Studenicë. Për këtë të dhënë të parë të emrit “Kosova” që i takon kohës së S. Nemanjës, i cili vdiq në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XII, kuptohet se edhe emri përmendet që nga ajo kohë. Për diplomën në fjalë, autori A. Urosheviq thekson se, sipas fjalëve dhe disa emrave, ndër ta dhe emri “Kosova”, që ishin shkruar në te asokohe, mendoj që ky dorëshkrim u plotësua më vonë, pra në kohen e re, sepse emra të tillë nuk ka pasur në kohen e Stefan Nemanjës e as në gjuhen tonë. Kështu në këtë dorëshkrim (të diplomës) hyri dhe emri “Kosovë”.  Emri gjeografik “Kosova” paraqitet tek pas betejës së vitit 1389. Deri atëherë ky emër me një përjashtim të dyshimtë, asnjëherë nuk përmendet me emrin “Kosova”. Pas Betejës së Kosovës treva e Kosovës së sotme gjithherë thirret me emrin “Kosovë”.  Pas Betejës së Kosovës, vendi i Kosovës së sotme, gjithherë thirret “Kosovë” si në shkrimet tona, turke dhe të huaja. Kuptimin e këtij emri të huajt, sigurisht sipas përshkrimit – përkthimit të vendasve, e kuptojnë sikur vjen nga emërtimi i zogut “kos”, sepse përkthehet si Campus Merulae ose Shamp de Merles ose Amselfeld. Emërtimi “Kosova e Metohija” në vend të “Serbia e Vjetër” (Stara Srbija), u krijua tek pas luftës së Dytë Botërore. Sipas burimeve historike (serbe, E. R.) “Serbia e Vjetër”, në të sotmen “Kosovë e Metohi”, përbëhej gjatë mesjetës nga 9 krahina (zhupa). Edhe gjatë shek. XVI e XVII, po sipas burimeve historike, gjitha këto krahina thirreshin me emrin e përgjithshëm “Serbi e Vjetër”. Sipas dëshmive të shkruara nga Sava “Biografia mbi Nemanjën”, Stefan Nemanja (1114-1200) bashkoi “shtetet serbe” dhe që nga atëherë territori i sotëm i “Kosovës e Metohisë” (Serbia e Vjetër) hynë  në kuadër të “shtetit të madh serb”. Nga kryengritja e Parë dhe e Dytë serbe, 1804 dhe 1813, sikur dhe në Mbretnin Serbe dhe Jugosllavi e deri te lufta e Dytë Botërore, në përdorimet zyrtare – shtetërore  është  përdor termi “Serbia e Vjetër”, ashtu si dhe në hartat gjeografike, dokumente historike, literaturën shkencore dhe shkrimet diplomatike, a sidomos në studimet toponimike. Emri ‘’Serbia e Vjetër’’ si thirrje gjeografike, vendoset në shek. e XIX, nën ndjenjën  e ndërrimeve që pësoi pas çlirimit Principata Serbe. Kur Principata e Serbisë, filloi të paraqitet si trevë e veçantë në Harta, gjeografët (serb, E. R.) u dashtë të krijojnë emrin e ri gjeografikë për ato treva të ‘’shtetit mesjetar serbë’’të cilat nuk hynë në përbërje të Principatës. Me ‘’Serbi të Vjetër’’ u quajtën atëherë të gjitha trevat qendrore, jugore dhe jug veriore të ‘’serbisë mesjetare’’. Autori D. Bogdanoviq në librin e tij kushtuar historisë së  “Kosovës” thekson se, vetë emrin “Kosova” do ta përdori kushtimisht sepse, në qoftë se është fjala për krahinën, emri i sotëm që e thërrasim është turko-shqiptar (tursko-albanski), e rrjedh nga emërtimi i “Vilajetit të Kosovës” (Kosova), i cili përfshinte para luftës së parë  ballkanike gjithë territorin e Sanxhakut ( Novi Pazarit) me Polimljen e Epërme, pastaj territorin e “Kosovës e Metohisë”, Maqedoninë Veriore deri te Velesi dhe at Lindore me rrjedhën e plotë të Bregalnices. Insistimi për at emërim (Kosova, E. R.), krahas lëvizjes së autonomisë drejt njësisë më lartë, asaj  federale (1968), kishte për çdo kënd që merret vesh me historinë – parathirrje nacionaliste e pretendimeve të “mëdha shqiptare”.[...] Në dokumentet e PKJ, para dhe gjatë luftës së Dytë, si dhe në dokumentet e së drejtës kushtetuese të Jugosllavisë së re, ky regjion quhej “ Kosova e Metohija”, edhe pse dhe ky emërtim nuk ishte krejt i vërtetë, sepse territori i tij përfshinte dhe treva tjera me emra të veçantë. Nga pikëpamja e gjeografisë regjionale, as ky emër nuk ka qenë plotësisht i arsyetuar. Kështu, historikisht dhe sipas traditës (serbe), as emri i parë (Kosova) e i dytë  (Metohija) nuk janë zbatuar në këtë territor dhe në hapësirën e tij. Me arsyen më të  madhe, pra është folur para vitit 1912 për “Serbinë e Vjetër”, sepse kjo ishte foleja e “ kulturës dhe e shtetit të vjetër serb”[...]. Por ne do ta përdorim emrin “Kosova”, jo vetëm se ai ka hyr në përdorim të përgjithshëm si shenjë për tërë trevën por më tepër për at se, ky  emër tani është një problem aktualë, politikë e historikë, i cili me këtë emër është i njohur  dhe ka hyrë në botë. Duke hulumtuar në të kaluarën historike mesjetare të Kosovës në hapësirë të gjerë, krahas ‘’Fushë Kosovës’’ dhe ‘’Kosovicës’’ që vazhduan të jetojnë, nuk kemi të dhëna tjera për të ditur më tepër për emrin. Por sot, duhet ditur dhe duhet të merret parasysh dallimi në mes “Kosovës” mesjetare, e cila ishte në rend të parë thirrje gjeografike dhe emërtimit modern të gjerë të “Kosovës” si tersi administrative të datimit të ri. Emri “Kosovë” filloi të zgjerohet me krijimin e Vilajetit të Kosovës (shek. XIX). Hapi më i madh i zgjerimit merret më 1968, kur emri prej dy pjesëve i krahinës autonome “Kosova e Metohija” ndërrohet me emrin “Kosova”.
Përveç të dhënave të paraqitura më lartë, do të paraqesim dhe qëndrime të tjera që jepen nga shumë autorë tjerë të historiografisë serbe për emrin ‘’Kosova’’. Pa përjashtime, emrin “Kosova”, në njëqind vitet e fundit, e gjejmë të manipuluar nga autorët e historiografisë serbe në disa forma dhe trajtime, afërsisht me qëndrimet e lartpërmendura. Emërtimet për “Kosovë-n”, prodhohen sipas dëshirave dhe qejfeve dhe i gjejmë në format si: “Serbia e Vjetër”, “Serbia Jugore”, “Kosova e Metohija” - “Kosmet” e “Kosovo”,  emërtime këto, të cilat nuk kanë të ndalur as në punimet e ditëve tona. Kjo vlen edhe për emërtimet e popullit shqiptarë të Kosovës, kur nga po kjo historiografi, shqiptarët quhen ndërkohë: “arnaut”,“arnautash” e “shiptari”. Termi ‘’shiptar’’ ndonëse i ri, u shti në përdorim në këtë territor. Përndryshe, termi ‘’shiptar’’ si opsion, ishte gjatë në përdorimin zyrtar në ‘’Kosovë’’, afërsisht deri në vitet 1968.
Emrin në trajtën “Serbi e Vjetër”, e hasim pothuajse në të gjitha shkrimet historike dhe materialin hartografik të historiografisë serbe të viteve të fund shek. XIX, e duke vazhduar deri në periudhën e luftës së Parë Botërore, duke u përdor ndërkohë deri në ditët e sotme. Nga vitet 1920 e deri më 1940, emri i vendit parapëlqehet të shkruhet  dhe të thirret  edhe si, “Serbia e Re” (për pak kohë, nga viti 1913-1918) dhe “Serbia Jugore” (ku përveç territorit të sotëm të Kosovës, përfshihej dhe territori i Maqedonisë së sotme e më gjerë). Trajta e emrit “Kosovë e Metohi” që përdoret nga vitet 1945 e deri më 1968, edhe sot pretendohet nga “Serbia” të jetë emri “zyrtar” i “Kosovës”. Qëndrimet e tilla i gjejmë, kushtimisht po e them, edhe te autorët e mëdhenj të historiografisë serbe, si: M.S. Milojeviç, J. Ristiç, S. Novakoviç, S. Protiç, V. Gjorgjeviç, J.Cvijiç, S. Stanojeviç, R. Novakoviç, N. Kostiç, J. H. Vasileviç, J. Dedijer, D. Kovaqeviç, S. Çirkoviç, A. Urosheviç, D. T. Batakoviç, D. Bogdanoviç dhe te shumë autorë të tjerë.
Duhet të dihet që, edhe në shumë punime tjera të autorëve serb kemi këto qëndrime, të cilat janë më tepër të karakterit politik se sa shkencor, e për më tepër janë qëndrime që autorët i prodhojnë, i arsyetojnë etj., por ato siç do të shihet, dalin të jenë historikisht të pa verifikuara, pra janë qëndrime të falsifikuara.
Historiografia turke na ofron një të dhënë interesante sa i takon prejardhjes së emrit. Kjo historiografi na ofron variantin turk të prejardhjes së emrit “Kosova”. Enciklopedia turke emrin e shpjegon sipas emrit “Koh – soh – vah”, që është emër origjinal turk dhe do të thotë “fushë e mëllenjave”. Në gjuhën turke fjala “Kus” lexohet “Kosh” që do të thotë “mëllenjë”, derisa në turqishten e vjetër fjala “Kus” ka qenë adekuate për “mëllenjat”, ndërsa “ova” do të thotë “fushë”.
Po ashtu kemi dhe disa punime, por të pakta në numër, të autorëve shqiptarë të Kosovës, kryesisht të punuara që nga vitet e tetëdhjeta të shek. XX, që janë marr me prejardhjen dhe origjinën e emrit “Kosova”. Duhet domosdo të theksohet se, vlen për ti veçuar vetëm autorët , të cilët emrin e vendit dhe prejardhjen, origjinën e nxjerrin nga emër vendi, vendbanimi, mali, kështjelle apo qyteti nga hapësira e territorit vendor, të cilët me punën e tyre arrijnë në përfundime që,  emri ka origjinën nga gjuha ilire-latine, shqipe etj.  Ndër autorët që veçohen në këtë drejtim, kisha për ti përmendur këta:  Muharrem Carabregu, Skender Rizaj, Ejup Statovci, Avni Këpuska e Qazim Namani.
Fatkeqësisht, kemi dhe disa autorë shqiptar të cilët duke mos pasur dije të mjaftueshme, e ma merr mendja edhe duke qenë nën ndikimin dhe shkollën e historiografisë serbe, në punimet apo deklarimet e tyre rreth emrit te vendit, prejardhjen dhe etimologjinë e tij e shpjegojnë se rrjedh nga gjuha sllave. Për më keq, kemi dhe raste kur ndonjë  i ashtuquajtur ‘’studiues’’ i joni, deklarohet dhe shpjegon se, emri “Kosova” për herë të parë në burimet historike përmendet apo shkruhet në trajtën “ Kosovo”. Për këta ‘’studiues’’ as që e vlen të bëhet fjalë, le ti kanë në ndërgjegje ‘’dijet’’ e tyre.
Historiografia ndërkombëtare në shumë punime shkencore që i’a  kushton historisë së Kosovës, regjionit e më gjerë,  në rastet e shumta nuk merret me prejardhjen e emrit “Kosovë”. Është një numër relativisht i vogël i punimeve që i qasen çështjes së emrit, dhe atë, duke e shpjeguar shkurt e sipërfaqësisht. E keqja është se, kemi edhe ndonjë rast, kur në këto punime, nga ndonjë autorë, merret versioni i historiografisë serbe rreth prejardhjes së emrit, e kjo është një propagandë e keqe në këtë drejtim. Fatkeqësisht, kjo ndodh për një arsye. Dihet që historiografia serbe  ka shumë punime tendencioze e jo objektive, që përveç emrit, përgjithësisht i dedikohen historisë së popullit shqiptarë dhe Kosovës. Punimet që janë më të rëndësishme për propagandë shkencore anti shqiptare, institucionet serbe i përkthejnë në gjuhët kryesore botërore (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht etj.) dhe i shpërndajnë institucioneve shkencore botërore dhe opinionit të gjerë ndërkombëtar.
Në vazhdim, do të paraqesim dëshmi të cilat do të lidhen me kohën kur emri fillon të përmendet më tepër nga të dhënat historiografike. Duhet të dimë se, emri “Fusha e Kosovës” -“Kosova”, vendi ku ishte zhvilluar lufta e vitit 1389, e njohur në historiografi si “Beteja e Kosovës”, në mes të Koalicionit të popujve ballkanik dhe Osmanëve (Turqve), nga historiografia evropiane e më gjërë, njihet edhe me emrat: Amselfeld (Gjermanisht), Campia Mierlei (Rumanisht), Champs des Merles (Frengjisht), Kosifopedhio (Greqisht), Rigomezo (Hungarisht), Campus Turdurum (Latinisht), Campus Merulae (quhet nga kronistët latin), Kosovo Polje (Serbisht) dhe Kosova (Turqisht).
Dëshmitë, ndër të parat, për emrin e vendit, fushës, malit, katundit-fshatit, qytetit  të quajtur “Kosovë/a”, i gjejmë në dokumentet e kohës që dalin që nga fillimi i shek. XV. Ipeshkvi i Ulqinit, Martino Segano (i lindur në qytetin Novobërdë të Kosovës), i cili për një kohë ishte dhe famullitar vendas i kishës katolike në Novobërdë, në një shkrim të vetin me karakter gjeografik  kushtuar vendlindjes gjatë gjysmës së dytë të shek. XV, e përmend një luginë të quajtur “Kosovitza” nëpër të cilën po kaluaka lumi Llap, ku nga vendi në njërën anë gjendet Prishtina e në anën tjetër Novobërda. Nga shkrimi greqisht i Konstantin Filozofit i shek. XV, në kontest të përshkrimit të Betejës së Kosovës, përmendet dy herë një vend i quajtur “Kosova/Kosovë”. Shënimi tjetër i shek. XV tregon se, për të shkuar nga Prishtina për në Vuqitërn, tregtarët duhej të kalonin nëpër “pyje (male) të Kosovës”, përkatësisht nëpër “boschi di Cossova”. Nga Libri i borxhlinjve i vitit 1438, i tregtarit dubrovnikas,  Michael de Luchari, i cili veproi në Novobërdë, në afërsi të këtij qyteti, përmend katundin “Chosouiza”. Nga punimet e studiuesit Muhamet Tërnava, kemi të dhënat dhe për katundin “Kosofc” në regjionin e Llapit, i cili përmendet në vitin 1455, e që dëshmohet dhe në regjistrimet e viteve 1566 e 1574. Duket se po me këtë katund ka të bëj dhe studiuesi  Iljaz Rexha, kur thekson se, dokumentet e viteve 1566/1574, e  paraqesin katundin “Kosovc” por që gjendet në krahinën e Gallapit. 
Udhëpërshkruesi i shek. XVI, Petantius, kur po kalonte nëpër këtë trevë, shkruan se, përgjatë rrugës që shpie për Procopia (Prokuplje) në Nisum (Nish) nëse lëshohesh poshtë, kah jugu, jo fort larg shtrihet lugina “Kosovitza” përmes së cilës kalon lumi Llap. Libri i botuar në Venedik më 1605, nga Giacomo di Pietro Luccari, kur flet mbi Betejën e vitit 1389, tregon se, sulltan Murati depërtoi deri në vendin e quajtur “Kosovë”, që Gjermanet e quajnë “Amselveld”, Hungarezët – “Rigomezev” a Turqit – “Cossova”. Sipas të dhënave që i paraqet Haxhi Kalfa nga viti 1650, “Kosova” ishte Kadillëk (Kaza) i Sanxhakut të Vuçitërnës që ndodhet mes Prishtinës dhe Kurshumlisë. Po ky autor, pra gjeografi turk Haxhi Kalfa, gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII, përmend qytetin “Kosova” duke e cilësuar si Kadillëk. Historiani Skender Rizaj, paraqet dëshmitë e  studiuesit anglez  J. Mackay, që tregojnë se, ekzistonte një “qytet” që quhet “Kosova” dhe i cili gjendej afro 7 (shtatë) milje (1 milje = 1.852 m) në verilindje të Prishtinës në Rumeli (Ballkan). Po ky autor, na tregon se, “Kosova” ishte qytet dhe se njihej si lokalitet i vjetër xehetarë. Një defter i vitit 1498, përmend “Kosovën”, duke treguar që ishte dhe lokalitet i rëndësishëm xehetarë [...]. “Kosova” si qytet antik, mesjetar dhe i kohës së re u rrënua në fund të shek. XVII, por fama e tij nuk u rrënua, emri i tij përfshiu një territor shumë më të gjerë të Gadishullit Ballkanik. Qyteti ‘’Kosova’’ ishte njëri ndër qytetet  që ranë në duart e austriakëve në viti 1689.
Pas të gjitha këtyre që u thanë, do të japim të dhëna interesante që kanë të bëjnë me emrin “Kosova”, të cilat dalin nga burimet hartografike (gjeografike). Këto të dhëna do të paraqiten në shumë Harta të punuara nga studiues evropian që përfshijnë periudhën kohore që nga shek. XV e deri në shek. XIX. Në këtë drejtim duhet ta falënderojmë studiuesin Muharren Carabregu, i cili me punën e tij, na mundësoi që ti njohim burimet hartografike që kanë të bëjnë me emrin e vendit  tonë ‘’Kosovë’’. Rezultatet e punës së tij, kryesisht ato që kanë të bëjnë me punën tonë, do ti paraqesim në vijim të punimit.  Fillimisht, është shumë me rëndësi të tregohet se, në shumë Harta, emri i vendit “Kosovë-a”, paraqitet apo shënohet kryesisht si:  “Casoua”(Kasoua), Casova(Kasova), “Cascova” (Kaskova), “Cassovia”  (Kasovia) etj., dhe gjithnjë duke e paraqitur vendin, herë si vendbanim e herë si rajon (provincë). Këto dëshmi të para hartografike për emrin ‘’Kasova’’- ‘’Kosova’’ janë shumë të rëndësishme, sepse këto vërtetojnë ekzistimin e këtij lokaliteti me këtë emër në territorin tonë.
Dëshmitë e para hartografike për territorin (e Kosovës së sotme) i kemi nga fundi i shek. XV, nga  F. Roselli (1447-1527), i cili boton hartën e Evropës J.L. në Firenza të Italisë, ku paraqet emrin ’’Casoua’’ (Kasova), që ka të bëj me emër visi. M. Benventano në vitin 1507 në  Romë-Itali, boton hartën ‘’Tabula Moderna [...]’’, ku paraqet emrin ‘’Cascova’’ (Kaskova) për emër të vendbanimit. G. Gastaldi në hartën ‘’Carte dei paesi [...], që e botoi në vitin 1546, paraqet emrin ‘’Cascoua’’ (Kaskova) si vendbanim, ndërsa në hartën ‘’Tavole nuovo [...]’’ të vitit 1548, e quan ‘’Cassovia’’ (Kasovia), prapë duke e theksuar për vendbanim. Po ky autor, në vitin 1560, boton hartën ‘’Atlas Ptolomaeus [...]’’, ku si vendbanim paraqet vendin me emër ‘’Scascoua’’ (Skaskova). G. Mercatori në hartën  e botuar në Duisburg në vitin 1595, paraqet vendbanimin ‘’Scascoua’’ (Skaskova). Në atlasin e Ortelit të vitit 1595, paraqitet emri në formën ‘’Scascova’’ (Skaskova). P. M. Coronelli, duke punuar në hartimin e atlasit-globit tokësor gjatë viteve 1683-1704, boton harta në 12 vëllime. Në botimin e hartës ‘’Iliricum’’ të vitit 1688, përmend vendin e quajtur ‘’Campo Cassova’’. Po në këtë atlas të Coronelli-t, në hartën nr. 143 të botuar më 1689, paraqitet vendi ‘’Campo Cassoua’’. Mathias Seutteri në hartën nr. 152 të atlasit të tij, përmend emrin ‘’Campus Merlinius Cassovius’’, ndërsa në hartën nr. 153, e paraqet ‘’Campus Cassovius’’. Në një riprodhim të hartës së I. M. Hasiusit, të punuar nga  Hamanni, përmendet visi me emër ‘’Cassova Provincia’’. F. Reilly, në koleksionin e atlasit hartografik të botuar më 1796, vendin e quan ‘’Cassovo’’, ndërsa në fletën 22 të po këtij atlasi, e quan vendbanimin ‘’ Ebne Kassavo’’. V. de Vaudoncaurti, në hartën e punuar të vitit 1818, e përmend vendbanimin ‘’Kassova’’.   
Është interesant se, vetëm në botimet e hartave të fund  shek. XVIII  dhe në shek. XIX, emri  i vendit fillon të quhet ‘’ Kosova’’. Kështu, në hartat regjionale të Haxhi Kalfës nga vitet 1657, në hartën me nr. 297, paraqitet vendbanimi ‘’Kosova’’ . Në hartën e G. de L’Isle të vitit 1702, paraqitet vendi i quajtur ‘’Planin de Cossova’’.  F. A. Scheraembli, boton hartën në vitin 1788, ku përmendet visi ‘’Cossovo oder Amsel Feld’’ .J. Riedli në hartën e botuar më 1812, përmend qytetin ‘’Kossova’’ që e vendos në V.L. të Pristines (Prishtinës). Vendin ‘’Fusha e Kosovës’’, të shkruar në gjuhën serbe ‘’Kosovo Polje’’ – ‘’Amsel Feld’’, do të gjejmë të përmendet gjatë shek. XIX , vetëm në tri raste dhe këtë: në vitet 1867, 1876 dhe më 1881. Ndërsa, emrin në variantin e shkruar ‘’Kosovo’’, do ta gjejmë vetëm në një rast edhe atë pikërisht në shek. e XIX, më konkretisht në vitin 1829.
Nga të dhënat-burimet hartografike që i paraqitëm më lart, shihet qartë se, që nga shek. XV e deri në fillimin e shek. XIX,  baza e emrit është shkruar dhe paraqitet gjithnjë me fjalën ‘’Kas’’. Gjatë këtyre shekujve, emri kryesisht do të ekzistoj në variantin  ’’Kasova’’. Vetëm kah fundi i shek. XVIII dhe gjatë shek. të  XIX, fjala ‘’Kas’’ fillon të shkruhet dhe të paraqitet në trajtën ‘’Kos’’, që na jep versionin dhe formën  e emrit  të sotëm  të vendit ‘’Kosova’’.
Në këtë drejtim, do të ofrojmë dhjetëra të dhëna historiografike të autorëve-studiuesve të ndryshëm botërorë, të cilët në punimet e tyre, kryesisht të botuara gjatë shek. XIX, e në pak raste dhe gjatë shek. XX, emrin ‘’Kosova’’ do ta paraqesin në trajtën ‘’Kasova’’.     
Në një libër,  që është botuar në vitin 1822, kur flitet  mbi Historinë Moderne Evropiane, gjejmë të dhëna dhe për vendin tonë i cili paraqitet me emrin ‘’Kasova’’ ([...] on the plains of Cassova [...]). Libri ‘’ Allgemeine deutsche Real-encyklopodie [...]’’ e botuar në vitin 1827, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([...] bei Kassova [...]). Në një punim tjetër të vitit 1837, “The History of  Modern Europe [...]”, po ashtu emër vendi paraqitet në versionin ‘’Kasova’’ ([... the plains of Cassova [...]). Libri ‘’Histoire de I’Empire otoman [...]’’, i botuar në vitin 1841, vendin e quan ‘’Kasova’’ ( Assassinat qu’il commet sur Mourad I, dans la batalle de Kassova). Në librin ‘’The Turkish Empire [...]’’, të botuar më 1854, duke u përshkruar shkurt ngjarja rreth Betejës së vitit 1389, vendi quhet ‘’Kasova’’ ( A bloody battle was fought in the plain of Kassova [...]’’. Po ashtu, në librin ‘’Histoire De L’Empire Ottoman’’ të botuar në vitin 1855, emri i vendit quhet ‘’Kasova’’ ([...] por le plateau de Kassova pour de scendre dans la Macedoine). Libri ‘’Chronological Tables [...] And History Of The World’’ i botuar më 1857, vendin ku u zhvillua Beteja e vitit 1389, e quan ‘’Kasova’’ ( Victory of Kassova [...]). Revista shkencore ‘’L’Investigateur [...] Historique’’ e botuar më 1857, duke e quajtur luftën e vitit 1389, si një ngjarje fatale, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([...] apres la fatale batalle de Kassova [...]). Libri ‘’Histoire de la Turquie’’ i botuar në vitin 1859, në kapitullin IV, shkruan për vendin dhe luftën e Kosovës (1389), ku emri i vendit quhet ‘’Kasova’’ ( IV. Bataille de Kassova – Mort d’Amurat). Libri ‘’Mittheilungen Aus Justus Perthes Geographischer [...]’’ i botuar më 1860, vendin e quan ‘’Kassova’’. Në librin ‘’Die Geschichte der Welt  var und nach Christus’’ të botuar në vitin 1853, vendi quhet ‘’Kassova’’ ([...] aber bei Kassova geschlagen [...]). Revista shkencore ‘’The Quarterly Review’’ e botuar në vitin 1865, duke bërë fjalë për luftën e vitit 1389, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([...] on the field of Cassova; [...] battle of Cassova [...]). Libri ‘’History of Europe [...]’’ e vitit 1877, duke folur për luftën e vitit 1389, e quan ‘’Beteja e Kasovës’’ ( Battle of Kassova – 1389 [...]). Në librin ‘’The Russo – Turkish War’’ i botuar në vitin 1877, vendin e gjejmë tri herë të shënuar në trajtën ‘’Kasova’’. Libri ‘’A History Of The Empire And People of Turkey [...]’’ i botuar në vitin 1878, duke bërë fjalë për luftën Hungareze të vitit 1448, tregon se ajo u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ (Again the Hungarians rollied in 1448 and again they  were routed at Kassova by the furius enemi). Në librin ‘’Muslim Rule In Europe’’ autori , duke bërë fjalë për Hungarinë dhe luftërat e saj me Turqit, përmend luftën e Huniadit (Hunyadi) të vitit 1448, duke përmend edhe vendin ku ajo ishte zhvillua që ishte quajtur ‘’Kasova’’.  Në punimin ‘’Baby Rue’’ të botuar në vitin 1881, përshkruhet lufta e vitit 1389, duke theksuar se ajo u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ ([...] of August , 1389, the sun a rose over the plains of Kassova [...] of  victory to the Turkish Sultan). Në librin ‘’Turkey Old And New’’ të botuar në vitin 1883, në pjesën e IV ,duke u bërë fjalë për Greqinë, Bulgarinë dhe vendet shqiptare , thuhet se beteja e madhe e vitit 1389, u zhvillua në vendin ‘’Kasova’’ ( 4. Battle of Kassova – Death of Amurath). Asociacioni i numizmatikës amerikane në botimin e tyre të vitit 1899, përshkruan luftën e vitit 1389, dhe vendin e ndodhjes e quan ‘’Kasova’’ ([...] by the  Turks at the battle of Kassova, in 1389, [...]). Në punimin ‘’Cyclopaedia of Political Science [...] by the Best American and Europian Writers’’ të botuar në vitin 1899, në pjesën ku bëhet fjalë për Turqinë, flitet dhe për Betejën e cila kishte ndodhur në vendin ‘’Kasova’’ ([...] Turkish rule was established in its prezent European limits by the battle of Kassova [...]). Në librin ‘’Jahrbuch der geologischen Bundesanstalt [...]’’ të botuar në vitin 1905, autori vendin e quan ‘’Kasova’’. Në librin ‘’Modern History [...]’’ të botuar në vitin 1907, kur flitet mbi luftën e vitit 1389, vendin e ndodhjes autori e quan ‘’Kasova’’ (Kassova ‘1389’, the Turks completed the overthrow [...]). Në librin ‘’The Modern World [...]’’ të botuar në vitin 1915, vendi ku u zhvillua lufta e vitit 1389, quhet ‘’Kasova’’ ( But at Kassova ‘1389’, the Turks completed [...]). Në librin ‘’The Middle Ages, 300 – 1500’’ të botuar në vitin 1932, kur bëhet fjalë për luftën e vitit 1389, autori atë e quan ‘’Beteja e Kasovës’’ (1389. Battle of Kassova. Great defeat by [...]). Në librin ’’Islam in U.S.S.R., Turkey and Europe’’ të botuar në vitin 1956, autori duke përmendur trevat shqiptare që gjendeshin nën Perandorinë Osmane gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, përmend provincën  ‘’Kasova’’ (Vilajetin Kosova, E. R.), si njërën ndër katër Provincat Turke që paraqet sot Shqipëria  ([...] die old Turkish provinces of Skutari, Yanina, Kassova and Monastir [...]). Në librin ‘’Contribution a l’histoire du Commerce Bulgare’’ të botuar në vitin 1971, autori duke përshkruar Betejën e Varnës, luftrat e Skenderbeut dhe Betejën e  vitit 1389, për këtë të fundit, tregon se u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ ( Bataille de Kassova). Një autor hungarez në librin e tij të botuar në vitin 1999, vendin e quan ‘’Kassova’’. Një autor francez, gjatë qëndrimit në treva të ndryshme shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX, na jep një qëndrim interesant që ka të bëj me emrin ‘’Kosovë’’. Ky ishte Emil Viet, i cili ishte për një kohë Konsull i shtetit të Francës në Shkodër, ku gjatë asaj kohe mësoi shumë për shqiptarët dhe vendet e tyre. Kur flet për territorin tonë, vendin e quan me emrin ‘’Kosova ose Gistivari’’ i cili nga emri i rrafshinës quhet gjithashtu ‘’Fushë Kosovë’. Ky është ‘’Kasobusi i vjetër’’, që shquhet prej dy betejave të mëdha ku ngadhënjyen Bajaziti I dhe Murati i II, më 1389 dhe 1448 [...]. Gjendet në rrugën që shpie për Nissa (Nish) [...]. Lidhur me paraqitjen e emrit “Kasobusi”, mendoj që autori ka parasysh fjalën “Kasaba”, e cila në gjuhën shqipe dmth. “qytet”. Po ashtu, ‘’Kasaba’’ ka kuptimin e “qytetit të vogël” (qytezë) edhe në gjuhën serbe. Fjala “Kasabali” në gjuhën tonë, ka kuptimin e “banorit të vjetër të qytetit” , apo në kuptimin e plotë të fjalës dmth. “qytetar”.
Nga të gjitha të dhënat rreth emrit “Kasova”-‘’Kosova’’, është me interes ta paraqesim dhe qëndrimin e Encillopedisë Britanike, që lidhet drejtpërsëdrejti me atë që u tha deri më tani. Sipas Enciklopedisë në fjalë, alternativa e shqiptimit të emrit ‘’Kosova’’ frekuenton nga fillimi i shek. XX, nga shqiptimi i më hershëm ‘’Cassova’’ ose ‘’Cassoua’’, emër i italianizuar.
Nga e gjithë kjo që paraqitëm, vlen për të komentuar më tutje dhe disa qëndrime shtesë që lidhen me prejardhjen e emrit. Kështu, nga literatura kuptojmë se, interpretimin e parë të emrit ‘’Kosova’’, e ka bërë akademiku kroat Josip Rogliç, i cili thotë se: ‘’ e tërë terminologjia gjeomorfologjike dhe emrat gjeografikë të Gadishullit Ilir janë të gjuhës ilire’’, duke ardhur dhe në përfundim që, terminologjia e emrit gjeografikë ‘’Kosova’’, i takon gjuhës ilire.
Po ashtu interpretimin gjeografik të emrit e shpjegon dhe M. Carabregu, i cili thotë se, termi ‘’kas-a’’ përmban kuptimet e një kodre, mali apo shkëmbi. Variantet e shpeshta  të emrit që ndër kohë paraqitën si, ‘’Kasova’’, ‘’Kasava’’ dhe ‘’Kosova’’ na japin  ‘’ kas-a’’ dhe ‘’va’’, që të dy terma gjeografikë.
Në bazë të këtij termi gjeografik ‘’kas’’, janë gjithashtu edhe emrat: Cassel, Castel, Cashtel, Casteli etj. Ky term përdoret edhe për emër personal, fisnor dhe po ashtu si emër vendi, si: Kas-i, Kasaj, Canius, Kastrat, Kastriot, Kasendra, Kas, etj. Këtyre qëndrimeve, ju shtojmë disa shembuj që vërtetojnë këto të dhëna. Psh., Fisi “Kastrat” e ka djepin në Veri të Shqipërisë. Emri “Kastrat” në shqipen nuk është shumë i vjetër, ky emër vjen nga latinishtja ‘’Castrum’’. Qyteti mesjetar ‘’Kassa’’në Hungari, në gjuhen gjermane shqiptohet ‘’Kaschau’’ ndërsa në gjuhen latine ‘’Cassovia’’. Sipas dokumenteve dubrovnikase, familja aristokrate ‘’Kasica’’që jetonte në Dubrovnik, ishte me prejardhje nga qyteti Novomonte (Novobërda), etj.
Ndërsa, sa i takon termit gjeografik të emër vendit ‘’ va – u’’, kuptohet të përdoret tek emër vendet për cektësi ose gjerësi të lumenjve apo luginave, pastaj për përshkrimin e një gjerësie, rrafshine etj. Është me rëndësi të theksohet se, ky term, si prapashtesë ka përkrahje të gjerë, kuptimi i të cilit mund të jetë në tri aspekte: 1) te lumenjtë si vendkalim më i përshtatshëm, 2) tek emërtimet visore si gjërsi , rrafshinë, dhe 3) te vendbanimet si rrafshi i ndërtimit.
Në vazhdim, duhet të tregojmë se, që nga koha antike gjejmë burime të shkruara, të cilat na munëdsoin për të vërtetuar se,  fjala ‘’Kas’’, është shumë e pranishme si emër në gjithë vendbanimet, apo trojet ku jetonin ilirët, e po ashtu disa nga emrat janë, të afërt me emrin e sotëm të ‘’Kasovës – Kosovës’’. Nëpër tërë territorin e Kosovës, që nga lashtësia hasim një shtresë të theksuar ‘’castrumesh’’ (kështjellash) dardane, që më vonë i përforcuan romakët. Disa prej tyre gëzonin dhe statusin e doganave, stacionit për pushim rrugor e disa dhe statusin e municipumit (qytetit). Kështu, fjala  “Kastra” e gjuhës latine në gjuhen shqipe, dmth. –  Kamp ushtarak, Shatorre apo Llogore;  Castrum – Kështjellë; Castellum – Kështjellë, Rezervuar uji, Katund apo fshat; Castellani – Banorët e një kështjelle;  Kascus/a/um – I moçëm, I vjetër, I lashtë; Kasa/ue – Kasolle, Pronë, Çadër ushtarake. Po ashtu të dhënat e para, në këtë drejtim, na njoftojnë se, në tokat e Ilirisë - në Epir, përmendet qyteti ‘’Kasopia’’ qysh në vitet 313-312 p.e.s.. Shënimet që i gjejmë të vepra ‘’Gjeografia’’, e gjeografit Klaud Ptolemeu të shek. II të e.s., na tregojnë se, kur bëhet fjalë për Epirin dhe vendin e tij, autori përmendë dhe qytetet, ku njëri ndër ta ishte qyteti i quajtur ‘’Kassiope’’. Në të dhënat që i gjejmë në veprën ‘’Mbi qytetet dhe popujt’’ të autorit Stephani Byzantini, kur bëhet fjalë mbi fiset ilire e po ashtu edhe vendbanimet -  qytetet e Ilirisë dhe Epirit, përmendet qyteti ‘’Kassope’’, [...] i quajtur kështu nga krahina ‘’Kassopia’’. Emër etnik ‘’kassopaios’’, ‘’kassopios’’ [...]. Procopi Caesariensis (Prokopi i Cezaresë) në veprën ‘’De Aedificis’’ (Mbi Ndërtimet) në shek. e VI, duke folur për Dardaninë, përshkruan dhe fortifikatat (kështjellat, E. R.) që Perandori Justinian ndërtoi dhe i rindërtoi në këtë vend. Prokopi i Cezaresë është historiani më në zë i Bizantit i cili jetoi gjatë shek. VI (... – 565), që na la shkrime për territorin e Dardanisë gjatë kohës së sundimit të Perandoritë Justiniani. Një listë e tërë e shkruar na ofron të dhëna për kështjellat e ndërtuara dhe të ri ngritura nga Justiniani, pra përmenden disa vendbanime, emërtimet e të cilave janë të rëndësishme për toponimet e Dardanisë, sot Kosovës. Ne, në këtë rast, do ti përmendim vetëm ato, që fillojnë me fjalën ‘’Kas’’. Fortesa të ndërtuara, të reja, në Dardani përmenden dy: ‘’Kastimon’’ dhe ‘’Kastelion’’. Ndërsa, të rindërtuara përmenden tri: ’’Kasyella’’, ‘’Kastellobreata’’ dhe ‘’Kastelona’’. Në Maqedoni, me fjalën ‘’Kas’’ nga fortesa të rindërtuara përmenden vetëm dy: ‘’Kasopas’’ dhe ‘’Kassopes’’. Po ashtu, në trevën Nais, paraqiten dy raste të ndërtimit të fortesave të reja, ku fjala e emrit fillon me bazën ‘’Kas’’, e këto janë: ‘’Kastellion’’ dhe ‘’Kasia’’. Qyteti Nais (Nishi i sotëm) aso kohe ishte njëri ndër qytetet kryesore të Dardanisë dhe gjendej në pjesën veri-lindore të vendit. Në mbështetje të zbulimeve, hulumtimeve të reja arkeologjike që u zhvilluan deri në vitet e tetëdhjeta të shek. XX në territorin e Kosovës, thuhet se, kemi të evidentuara rreth njëqind (100) vendbanime antike, kryesisht në gërmadha, numri i madh i të cilave nuk është identifikuar.
Të gjitha të dhënat e deritashme na bëjnë për të theksuar, edhe një herë se, fjala “Kos” është vazhdimësi e fjalës “Kas”.
Në vazhdim të punimit, do të ndalemi edhe njëherë te fjala “Kos”. Nga disa punime dhe qëndrime të ndryshme do të shohim se fjala ‘’Kos’’, nuk mund të pranohet ashtu si e paraqet historiografia serbe, se fjala ka prejardhje nga gjuha sllave, por do të tregohet se, kjo fjalë i takon dhe gjuhëve të tjera e po ashtu, ka dhe shumë kuptime në shumë gjuhë të botës. Për më tepër, prejardhja e fjalës ‘’kos’’ konsiderohet për e errët. Do të ofrojmë disa shembuj për të treguar që fjala nuk ka kuptim vetëm në një gjuhë siç pretendohet. Kështu, vendi i quajtur ‘’Kos’’ ose ‘’Cos’’ në greqisht, në turqishte ‘’Istankoy’’, në italishte ‘’Coo’’, është një ishull në detin Egje në Greqi. Ky vend me këtë emërtim ekziston që nga kohet e vjetra-antike, që tregohet qartë se emri s’ka fare të bëj me farë kuptimi,  origjine apo ka të bëj me farë prejardhje sllave. Fisi (Farefisi) i Romës ‘’Kos-o’’ ose ‘’Kos-oje’’ ka origjinë nga Etrurët, ndërsa te serbët këta ‘’Kos-ari’’, i përkisnin familjes fisnike të vjetër të Barit (Tivarit, E. R.). Emri ‘’Kos-tandin’’, predominon dhe përdorët  në gjuhën shqipe si emër i njeriut. Edhe pse ky emër dominon te shqiptarët, origjina e tij rrjedhë nga gjuha latine. Emri ‘’Kos-tandin’’ është më i afërti me variantin ‘’Cos-tantino’’ që e gjejmë te italianët.  ‘’Kos-tandin’’ është një variant i emrit ‘’Con-s-tantine’’ i gjuhës angleze. Kështu, emri ‘’Kos-tandin’’ përdorët vetëm nga italianët ( Cos-tantino dhe Cos-tanzo) dhe shqiptarët (Kos-tandin), ndërsa varianti ‘’Kon-s-tantin’’ përdorët në shumë gjuhë tjera si: angleze, gjermane, franceze, greke etj. 
Me fjalën ‘’Kos’’ në Indi quhet ‘’mila e indisëveriore’’, pra ka kuptimin e njësisë së gjatësisë gjeografike. Pastaj kemi termat në matematikë si, ‘’Kos-ekans’’ (që në gjeometri ka funksionin e një rrethi), ‘’Kos-ekant’’ (gjeometri), ‘’Kos-inus’’                      (matematikë – sinus pika e dhënë e rrethit dhe gjeometri funksioni i katetes drejt hipotenuzes) etj. Po ashtu, kemi dhe fjalët si,  ‘’Kos-mos’’ në gjuhën angleze, e cila në shqip shqiptohet ‘’Kozmos’’, e në serbishte ‘’Kozmos’’ (Svemir), e që të tria bashkë, kanë kuptimin e njëjtë ‘’Gjithësi’’. ‘’Kos-kinomantia’’ (greqisht), që në përkthim dmth. ‘’të profetizuarit  - të parathënët’’. ‘’Kos-marhija’’ (greqisht – bota, sundimi), sundimi i botës. ‘’Kos- mika’’, ( greqisht - bota, sundimi), në gjuhën tonë ‘’Kozmik/e’ ’dmth.  botërore-diçka që i takon krejt botës. ‘’Kos-metika’’ (mjeshtëria e zbukurimit), dmth. ‘’Kozmetikë’’, etj. Kështu, prejardhja e fjalës, emrit ‘’Kos’’, mund të konsiderohet jo sllave apo të konsiderohet për fjalë e  errët, pasi që gjuhëtarët nuk e ndriçojnë për më tepër.
Nga gjitha të dhënat e paraqitura, mendojë se, argumentet flasin që, emri ‘’Kosovë-a’’ origjinën linguistike e ka në emrin ‘’Kasova’’. Prandaj kemi metatezën në shqiptimin e emrit nga ‘’Kasova’’ në ‘’Kosovë – Kosova’’. Sipas konsultimit me një studiues të gjuhës, i cili njehë mjaft mirë gjuhën cirilike sllave dhe gjuhën osmane,  tregon se, në shkrimet e vjetra cirilike sllave ndeshim shumë raste kur germa ‘’a’’ është shkruar ‘’o’’, çështje kjo që vërtetohet me krahasimin e dokumenteve. Po kjo shihet edhe te studiuesit serb të cilët, në rastet e përkthimit të dokumenteve mesjetare latine e osmane shumë shpesh, apo në shumicën e rasteve, germën ‘’a’’ e zëvendësojnë me germën ‘’o’’. Një shembull adekuat në këtë drejtim, e arsyeton qëndrimin e theksuar më lartë, e ky është emri i qytetit ‘’Kotor’’, i cili në të gjitha dokumentet që nga mesjeta deri në shek. XIX quhet ‘’Katar’’. Versionin ‘’Kotor’’ e gjejmë vetëm në shkrimet sllave, çështje kjo që mund të vërtetohet nga argumente të mjaftueshme.  Nga të gjitha qëndrimet e theksuara  më lartë, vlen për ti përmendur edhe njëherë punimet e akademikut J. Rogliç dhe studiuesit M. Carabregu, nga të cilat mundë të theksojmë se, emri ‘’Kosova’’ ka origjinë Ilire, duke hedhë poshtë teorinë se, emri  ka etimologji sllave-serbe. Edhe autorë tjerë janë të këtij mendimi kur theksojnë se, emri ‘’Kosova’’ [...] me sa dihet, përmendet që nga Beteja e Kosovës (1389). Mendoj se fjala ‘’Kosovë’’duhet të jetë fjalë e lashtë ilire apo trake, aq më tepër, kur dihet se, emrin ‘’Kosova’’ e hasim në shumë vise të Gadishullit Ballkanik [...]. Duke qenë se emërtimin ‘’Kosovë’’ e hasim edhe në disa vende si Dalmaci, Bosnje e Maqedoni, në të vërtet mu në pjesët ku ishte zhvilluar etnosi ilir, mendoj se kanë prejardhje të njëjtë. Kështu, ‘’Kosova Dalmatine’’ përmendet herët si ‘’Campus Merularum’’ te kronika e “Popit Duklanin” e shek. XII, pra e ka kuptimin e emrit ‘’Fusha e Kosovës’’. Emri ‘’Kosova’’ edhe në këtë dorëshkrim të shek.  XIII, thuhet të ishte një termë mbi bazën e gjuhës ilire. Autori, Q. Namani, na ofron të dhëna që, fjala “Kas” nënkupton fjalën “Kështjellë”, me arsye se, vendi kishte shumë kështjella gjatë historisë-vetëm në shek. e VI, kishte 69 kështjella që i paraqet autori Prokopi i Cezares, dhe fjalën “ova” që nënkupton “fushë”. Këto dy fjalë përbëjnë sot në gjuhën shqipe emrin “Fusha e Kështjellave” – “Kasova”,  që me një metatezë ndër kohë, emri do të kalon në formën e sotme “Kosovë/a”.
Para përfundimit duhet të theksojmë që, kërkimet e gjertanishme në fushë të toponimisë brenda kufijve të sotëm të Kosovës dhe në kontest të kufijve historik, të cilat i janë përshkruar Dardanisë antike, dëshmojnë për një numër të madh shtresash gjuhësore të saj, studimi i të cilave krijon pasqyrën e saktë të kulturës gjuhësore, etnografike e historike të vendit. Në fondin e përgjithshëm të toponimeve të Kosovës, dhe më gjërë Dardanisë, që e përbën fondi i vjetër iliro-shqiptar, do të ndeshim dhe fondin e shtresimeve romake, bizantine, saksone e sllave gjatë mesjetës, osmane gjatë pesë shekujve si dhe serbe në shek. XX
Është i njohur fakti se gjuha latine, pas pushtimeve romake të viseve të banuara me popullsi ilire bëhet mjeti kryesor i të shprehurit shkrimor të ilirëve dhe në këtë mënyrë,  pa u vërejtur janë futur format romake në onomastikën dhe toponomastikën e vjetër tradicionale ilire. Pasi në këto troje, sundimi Romakë zgjati dhjetëra shekuj, duhet ditur ndikimin e fuqishëm të tyre dhe fesë katolike tek populli që jetonte në këto treva, të cilët bënë që vendi të pranojë edhe elemente latinfolëse dhe që shumë toponime të lashta sot të kanë apelativa latinë. Kjo ndodhi dhe me emrin ‘’Kas-a’’.
Derisa fondi i vjetër i toponimisë shqiptare, dëshmohet nga shkrime dhe harta që nga antikiteti, dihet se fondi sllavë i toponimisë mesjetare do të rikonstruktohët nga fundi i shek. XIX  duke vazhduar në shek. XX. Të dhënat fragmentare për emrin e vendit (edhe ato për emërtimet e shumë vendeve të tjera të Kosovës)  të cilat na i afron lënda arkivore-burimet historike (diplomat mesjetare) dhe dokumente tjera që na paraqiten nga literatura serbe, duhet të merren me rezervë. Këto të dhëna, që nga mesjeta e deri në fillim të shek. XX, nuk kishin karakterin e përgjithshëm të regjistrimit të vendbanimeve. Shumë nga to, janë shkruar dhe përshkruar nga priftërinjtë e kishave ortodokse sllave, të cilët me qëllime e pa qëllime i kishin ndryshuar të dhënat toponimike dhe antroponimike, duke i shkruar në frymën dhe formën e gjuhës sllave, kështu që shumë prej tyre ishin shtrembëruar dhe një pjesë e tyre ishte sllavizuar në mënyrë direkëte me anë të përkthimeve. Siç shihet, prej këtyre të dhënave, toponimia dhe antroponimia shqiptare e popullatës vendëse ishte sllavizuar gati tërësisht. Këto të dhëna, për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, hynë në përdorim në shkrimet zyrtare dhe keqpërdorohen nga shkrimet e ndryshme të  historiografisë serbe. Përveç dëshmive të pakontestueshme që dihen për sllavizmin e toponimisë mesjetare shqiptare, ky fond, dhunshëm do të shtresohet mbi toponiminë e vendit, pas okupimit të Kosovës nga Serbia që nga vitet 1913 e këtej. Nga kjo kohë,  shumë emërtime të vendbanimeve do të ndërrohen dhe do të zëvendësohen me emra të rinj, psh: Lazarevo, Miloshevo, Obiliç, Gjeneral Jankoviq, Uroshevac, Kosovo Polje, Dobra Voda e tjera. Zakonisht, dihet se pas ç’do lufte, më mirë të themi, pas ç’do okupimi, gjithherë janë shkaktuar ndryshime të mëdha si gjuhësore e etnografike dhe kulturore-historike të një populli apo të vendit të caktuar. Pushtuesit në këto troje, dhunshëm krijuan emërtimet e vendbanimeve etj., duke krijuar dhe shënimet, hartat topografike me politizime të antroponimeve, toponimeve, hidronimeve dhe vet etnonimeve të vërteta e të vjetra të vendit. Këta, gjatë shekujve, jo vetëm që lënë gjurmë kulturore e fetare, të emrave të njerëzve etj., por për më keq, ngatërruan apo dhe tentuan ta zhdukin topografinë reale të vendit. Rezultati i pushtimeve  sot, na e bënë shumë të vështirë të dimë etimologjinë e vërtet të emërvendeve të territorit tonë dhe më gjerë regjioneve ballkanike.    
Nga e gjithë kjo që u tha, konstatoj se: tendencat e shkencës së politizuar dhe historiografisë serbe  që emrin ‘’Kosovë-a’’ ta paraqesin me prejardhje sllave – serbe  etj., janë vetëm konstruktime, manipulime me qëllime nacionaliste e të pa mbështetura nga dëshmitë historike. Është interesant të thuhet dhe ajo, që vërehet pothuajse në të gjitha punimet e autorëve serb, se, shpjegimin e emrit e marrin nga të dhënat popullore e jo nga të dhënat shkencore.
Është shumë me rëndësi të paraqesim dhe qëndrimet tendencioze serbe që i theksuam në këtë punim, e që kanë të bëjnë me pretendimet për ndërrimin e emrit ‘’Kosovë/a’’. Historiografia serbe, që nga gjysma e shek. XIX, e deri në vitet e njëzeta të shek. XX, pretendon  dhe provon me të gjitha mjetet që ta quaj vendin me emrin  e imagjinuar ‘’Serbia e Vjetër’’, por ky tentim bie poshtë, pasi që nuk arrin të hyj në përdorim zyrtar dhe nuk pranohet nga historiografia evropiane e më gjërë. Po ashtu, kemi tendencën që vendi të quhet ‘’Serbia Jugore’’, emër që përdoret nga vitet 1920 e deri në vitin 1940, por dihet se edhe ky emërtim nuk pati jetë të gjatë dhe nuk mundi të realizohet. Pas dështimit të dy emrave të parë,  tentimi do të vazhdojë pas Luftës së Dytë Botërore, kur vendi do të quhet ‘’Kosova e Metohija’’, deri në vitin 1968. Por edhe ky emërtim i pa bazë do të bie, pasi që emri i vendit, sipas Kushtetutës së vitit 1968 të Republikës Federale të Jugosllavisë, me kërkesën e shqiptarëve, u vendos   të quhet me emrin që e kishte më parë ‘’Kosovë/a’’. Pas këtyre tentimeve, historiografia serbe, kuptohet gjithë kohës me mbështetjen e qeverisë serbe, pasi nuk i mbeti alternativë tjetër, gjeti mbështetje vetëm në mundësin për ta ‘’shpjeguar shkencërisht’’ prejardhjen e  emrit, duke e shpjeguar siç e pamë, se,  kinse  emri paska prejardhje nga ‘’gjuha sllave-serbe’’. Kështu, që nga kjo kohë, pa ndërprerë  pretendohet që, edhe sot emri të shqiptohet dhe shkruhet në variantin ‘’Kosovo’’. Ky variant, siç del nga dëshmitë e lartpërmendura më lart, nuk ka fare të bëj me farë mbështetje shkencore, përveç asaj që mund ta quajmë, përshtatje e  ndjenjës gjuhësore sllave-serbe.
Nga kjo del se, sikur emri ‘’Kosovë’’të ishte me ‘’prejardhje sllave’’, nuk do të kishim dhe tendencën shekullore të historiografisë dhe qeverisë serbe për ta ndryshuar atë, jo në një variant, por në shumë variante, siç i pamë më lartë. Në këtë drejtim, kemi dhe qëndrimin e autorit serb se, emri është turko-shqiptar, që nënkuptohet se emri, nuk ka prejardhje serbe. Po ashtu, po e ritheksoj qëndrimin e autorit serb që tregon se, emri duke u përshkruar-përkthyer nga vendasit merret dhe kuptohet nga autorët e huaj, sikur se emri ka prejardhje nga ‘’zogu’, kështu që shumë autorë ndërkombëtarë emrin e vendit pasi që e përkthejnë në gjuhët e tyre e quajnë: Campus Merulae, Shamp de Merles ose Amselfeld dhe emërtime tjera që i kemi paraqitur më lartë. Duhet të dihet që këto emërtime të autorëve ndërkombëtarë në literaturën historike fillojnë të paraqiten tek nga fund shekulli XVII, kurse këto do të arrijnë të marrin formë tek gjatë shek. XIX – XX. Pra, këta emra kanë dalë si rezultat i vonë i shkrimeve dhe literaturës historiografike ndoshta të imponuar, dhe për këtë nuk mund të kenë vlera autentike.
 Të dhënat e mjaftueshme që i ofruam, më mundësojnë për të përfunduar se, emri i vendit  tonë ‘’Kosovë/a’’, ka prejardhje nga gjuha ilire-latine-shqipe. Prejardhja e emrit lidhet me emrin e një kështjelle, qyteti, province, mali apo fushe që ekzistoi në vendin tonë ndër shekuj. Po ashtu nga të dhënat, mund të theksojmë se, emrin mund të kuptojmë që paraqet vendin e vjetër të qytetëruar, vendin e kështjellave, vendin e kasollave-shtëpive etj. Por për mundësinë e kuptimit të emrit, mendoj se është reale t’ia lëmë  gjuhëtarëve, etimologëve për të dhënë rezultatet e tyre në këtë drejtim, që do të ishte zgjidhja më e mirë dhe përfundimtare e ndriçimit të çështjes, që mendoj se, në të ardhmen e afërt këto rezultate nuk do të na mungojnë. E rëndësishmja e këtij punimi është se, të dhënat historiografike dëshmojnë që, emri ka prejardhje dhe kuptim nga vendi dhe gjuha e popullit që jetoi mijëra vite në këto treva – popullit shqiptar.          

Dr. sc. Enver Rexha
Koordinator Shkencor
Instituti Arkeologjik i Kosovës
Prishtinë, Nëntor – 2008.



Powered by SoSo News Express Pro 2.2.0
Copyright © 2005-2008 by SoSoVN.com. All rights reserved.






http://translate.google.ca/translate?hl=en&sl=sq&u=http://pashtriku.beepworld.de/files/Histori/Histori_09/enver_rexha_historia_e_emrit_kosove_24.1.09.htm&ei=6O__TPWPII-inQel1YTlDQ&sa=X&oi=translate&ct=result&resnum=3&ved=0CC0Q7gEwAjgo&prev=/search%3Fq%3Dcassovius%26start%3D40%26hl%3Den%26sa%3DN%26nfpr%3D1%26prmd%3Divb

No comments:

Post a Comment